Përleshjet në mes të mbështetësve të opozitës dhe policisë, shpërthyen të premten jashtë parlamentit në Prishtinë, pasi disa prej parlamentarëve kishin vendosur që të votojnë kandidaturën e ministrit aktual të punëve të jashmte dhe ish-udhëheqësit të UÇK-së Hashim Thaçi, për president të ardhshëm të vendit, derisa qindra të rinjë të cilët kërkojnë punësim, cilësi jetësore dhe arsimim, ishin mbledhur para kuvendit për të kundërshtuar kandidaturën e tij.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji më 26 shkurt për të shpërndarë qindra mbështetës të opozitës, të cilët kërkonin dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja, pasi mes tjerash, qeveria siç ka konstatuar gjykata kushtetuese, e ka shkelur kushtetutën e vendit, për çfarë ishin dorëhequr ish-presidentët Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli.
Shumë nga ligjvënësit e opozitës në Parlamentin 120-anëtarësh u pezulluan atë ditë nga pjesëmarrja pas prishjes së seancës me gaz lotsjellës. Të tjerët u larguan dhe vetëm një prej tyre kishte mbetur si pjesëmarrës në komisionin zgjedhor.
Thaçi, i cili politikisht udhëhoqi kryengritjen e suksesshme të Kosovës, duke fituar një autonomi brenda Serbisë në vitin 1998-’99, dhe më pas shpalljen e pavarësisë së vendit nga Serbia në vitin 2008, , besonte se kishte vota të mjaftueshme në parlamentin 120-anëtarësh për zgjedhjen e tij si President i vendit, por kuvendi duhej përsëritur tri herë procesin e votimit pasi numrat e kërkuar nuk ishin të mjaftueshëm nga raundi i parë me 50 prej tyre; në përpjekjen e dytë me 64; dhe atë të tretë me 71 vota. Besohet, se ky rezultat erdhi pasojë e veprimit klandestin të disa prej ambasadave të huaja, duke iu bërë presion kryesisht deputetëve që besohet se janë të korruptuar, rrjedhimisht të shantazhueshëm, me votat e të cilëve ishte arritur kuorumi politik. Sidoqoftë, se a do të jetë Thaçi President, mbetet të shihet, pasiqë nuk është ende e sigurtë, ngase deputetët serb me një fuqi të vetos në kuvendin e Kosovës, mund të ndryshojnë mendjen e tyre dhe të refuzojnë miratimin e kandidaturës së tij presidenciale.
Kosova është pa ushtri, pasi deputetët serb kanë refuzuar të votojnë miratimin e një projekt-ligji të tillë, pavarësisht pse ata janë gjashtë dhe Kuvendi është 120-anëtarësh.
E nëse karriera presidenciale e Hashim Thaçit rrezikohet nga votat e deputetëve serb shokut të kreut të Kuvendit zt. Kadri Veseli, ata edhe mund të përpiqen të inicojnë ndryshimet kushtetuese për t’i zhveshur deputetët serb nga një fuqi e pashembullt politike, kudo në botë.
Me zbulimin e dosjeve të NATO-s, si dhe komunikimeve diplomatike nga WikiLeaks, gjetjet sugjerojnë se qeveria e Kosovës është e udhëhequr nga njerëz që dokumentueshëm janë të dyshuar për përfshirje në krime, me emra të tillë si “kasapë”, “korrës të organeve” deri tek “peshqit më të mëdhenjë të gadishullit në krimin e organizuar”. Gjetjet qartësojnë se si Shtetet e Bashkuara dhe disa prej fuqive të tjera Perëndimore dhe Evropiane, që mbështesin qeverinë e Kosovës, kanë pasur njohuri të gjerë për disa vjet të lidhjeve kriminale të ish-udhëheqësit të kryengritësve Hashim Thaçi, duke përfshirë të gjithë strukturën e partive politike në vend, pa ndonjë përjashtim. Strukturat e jashtme dhe vendore të nivelit politik, ushtarak, policor dhe ato të drejtësisë në Kosovë, kanë heshtur për më shumë se 16 vjet para të dyshuarve të krimit, duke iu ofruar atyre një parajsë pa pasoja. Këto rezultate sugjerojnë se të huajt do të vazhdonin ta bënin një sy qorr ndaj bandave të krimit në pragun e tyre, në qoftë se nuk do të kishte individ të brendshëm për të zbuluar provat e përfshirjes së tyre në këtë skandal të pashoq.
Opozita është duke i kundërshtuar sundimtarët e tanishëm në mënyrë demokratike, por zyrtari i ambasadës amerikane në Prishtinë, [shteti i të cilit është n”jë sistem Oligarkësh dhe jo-demokratik “siç sugjerojnë gjetjet e Universitetit Princton], zt. Greg Dalawie cili shpenzon më shumë kohë në ambientet e kuvendit se sa në zyrën e tij, duket të jetë i lodhur e “i gërditur” siç ka deklaruar ai nga veprimet e opozitës.
Ndërhyrja arbitrare dhe e padrejtë e ambasadorit të SHBA-ve në Prishtinë në procesin e brendshëm politik, zyra politike e të cilit ka mbështetur në mënyrë të pandalshme politikanë jo vetëm të korruptuar, por edhe të akuzuar zyrtarisht për përfshirjen e tyre në krime lufte, i ka zemëruar disa nga qytetarët e vendit, të cilët kishin iniciuar një peticion virtual për të adresuar shqetësimin e tyre pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Ky akt demokratik është përballur me një kërcënim të menjëhershëm nga ana e kryeministrit të vendit Isa Mustafa, i cili e ka quajtur atë si një akt terrorist. Një tjetër qytetar i Kosovës, që duket se jeton jashtë vendit, kundërshtimin e tij ndaj zgjedhjes së një presidenti të akuzuar për krime lufte dhe korrupsion, e ka shprehur nëpërmjet një video-materiali, ku ai e shqyen pasaportën e tij të lëshuar nga institucionet e Kosovës. Sipas standardeve të kryeministrit Mustafa, edhe ky është një akt terrorist.
Këto zhvillime na sugjerojnë se në Kosovë nuk do të ketë përparim demokratik ose liri të shprehjes, nëse nuk do të ketë një klasë politike të lirë nga korrupsioni. Megjithatë faktet tregojnë se fuqitë e huaja kanë qenë gjithnjë të gatshme për të mbështetur grupet e korruptuara politike në kembim të ndikimit të kontrollit politik.
Vetë Kryeministri Isa Mustafa ka premtuar para qytetarëve se do të luftoj korrupsionin, në ditën e themelimit të qeverisë së vendit, në dhjetorin e vitit 2014, por disa muaj më vonë, ai u gjet bashkëfajtor në mesin e shumë rasteve të dyshuara për korrupsion, siç kanë raportuar mediat vendore.
E pra, për lirinë e tij prej një politikani të korruptuar, ai duket se duhet të paguaj një faturë shumë të shtrenjt, e pse jo edhe t’i akuzojë qytetarët e tij në emër të luftës kundër terrorizmit, pavarësisht shprehjes së pakënaqësisë së tyre politike nëpërmjet një akti paqësor e ligjor për të kundërshtuar veprimet jodemokratike të një diplomati të huaj.
Përpjekja e BE-së për të ndikuar pozitivisht në Kosovë, është dobësuar në mënyrë të konsiderueshme [në qoftë se ajo nuk ka dështuar plotësisht] nga fakti se disa prej zyrtarëve të saj të lartë në kuadër të misionit për sundim të Ligjit në Kosovë [EULEX], janë akuzuar për përfshirje në po të njëjtat rrjete të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të cilat ata ishin mandatuar për t’i luftuar në përpjekje të përbashkëta me institucionet vendore.
Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, është akuzuar rëndë nga Këshilli i Evropës për përfshirje në krim dhe korrupsion, duke përfshirë edhe dyshimet se ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për shembull dyshimet e “tregtisë me organe” gjatë luftës kundër forcave serbe të Jugosllavisë në vitin 1999. Një tjetër raport, e identifikon atë si një nga “peshqit më të mëdhenjë” në krimin e organizuar në vendin e izoluar e të rrethuar me kodra e male.
Në qershor të vitit 1997, në një incident që shumë individë në lëvizjen guerile e kishin identifikuar si një “ogurzi,” kur një gazetar i Kosovës i cili kishte lidhje të ngushta me lëvizjen, ishte gjetur i vdekur në Tiranë.
“Fytyra e tij ishte ‘shëmtuar’ keq nga therjet e përsëritura me një kaçavidë dhe në fund të prapanicës, i është gjetur një shishe e thyer,” thuhet në një raport të detajuar nga ‘The New York Times. Gazetari i identifikuar si Ali Uka, ishte mbështetës i lëvizjes kryengritëse, por ai ishte gjithashtu mjaft i pavarur për të kritikuar kryengritjen. Në kohën e vdekjes së tij, ai jetonte në një apartament me Hashim Thaçi, shkruan The Guardian.
Kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, është në mesin e atyre që besohet të jetë përgjegjës për përhapjen gjeografike të bandave kriminale në Kosovë, duke i fuqizuar kështu lidhjet familjare dhe ato të biznesit, siç pretendojnë kabllot e rrjedhura diplomatike dhe dosjet e NATO-s. Raporti identifikon edhe lidhjet e tija me partitë politike opozitare si ajo e AAK-së e Ramush Haradinajt dhe partisë Vetëvendosje, e cila mban në kryesi Rexhep Selimin, si dhe disa grupe të tjera të vogla që veprojnë si ‘bajraktarë’ për klanet e krimit me urdhër të ‘Kanunit’.
Lista e të dyshurave për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion vazhdon pambarim, deri tek ministra dhe deputetë, zyrtarë policorë e disa nga kryetarët lokalë në të gjithë vendin.
Me sa duket, krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilat janë instaluar në mënyrë sistematike, me mbështetje nga përbërja e huaj dhe vendore: politike, policore, ushtarake dhe gjyqësore në Kosovë, tashmë ka arritur zyrtarisht kriteret e vërtetësisë që vendi të kualifikohet si “Shteti Fole i Mafias.”
Vendi i cili është vlerësuar të jetë republika e fundit që ka dalë nga ajo që dikur ishte e njohur si Jugosllavi, tani është një fole e krimit dhe korrupsionit, i cili është duke e kalbur cilësinë e jetës së njerëzve që nga koha kur njeriu i fuqishëm i Beogradit Sllobodan Millosheviç, ishte raportuar i vdekur gjatë një procedure gjyqësore për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të cilat dyshohet se i ka bërë në të gjithë gadishullin e Ballkanit, deri në shpërbërjen e Jugosllavisë.